Sipas burimeve të Gazetës Guxo.Info, nga brenda Prokurorisë, është arrestuar pronari i kompanisë “Kinemja e Re”, Naim Emrullahu, lidhur me rastin tragjik ku një punëtorë 59-vjeçarë humbi jetën.
Ferizaj, 13 Prill 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar me iniciale N.E., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”nga neni 358 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti në fjalë ka ndodhur në rrugën ‘Remzi Hoxha’ në Ferizaj, ku, një person ka rënë nga një objekt në ndërtim dhe pas daljes ne vendin e ngjarjes ekipet emergjente kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Prokurori i shtetit, ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethaneve të këtij rasti.
Ndërsa, me urdhëresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i vitkimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të vazhdoj me procedurat e mëtejme ligjore.
See less