Një vjedhje e rëndë është zbuluar në Ferizaj, ku persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi pa përdorur forcë dhe kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash dhe stoli ari.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Selim Badovci” dhe është raportuar pas mesnate, rreth orës 00:00.
Sipas burimeve, pronari i shtëpisë, B.I., 54 vjeç, ishte larguar nga banesa rreth orës 18:30, duke lënë çelësin pranë derës hyrëse, në një vazo – rrethanë që dyshohet të jetë shfrytëzuar nga autorët për të hyrë brenda pa hasur në pengesa.
Vajza e tij, L.I., ka qenë ajo që ka zbuluar rastin, pasi është kthyer në shtëpi rreth orës 23:25 dhe ka hasur ambientin e brendshëm tërësisht të kontrolluar dhe të bastisur.
Sipas deklarimit të ankuesit, nga shtëpia janë marrë:
• rreth 40 mijë euro para të gatshme
• stoli ari në vlerë rreth 5 mijë euro
Pas kryerjes së vjedhjes, dera është mbyllur sërish nga të dyshuarit, çka ka vështirësuar konstatimin e menjëhershëm të hyrjes së paautorizuar.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet e hetimeve rajonale dhe forenzika, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe mbledhjen e provave materiale.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në zhvillim për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.