Kuvendit i rekomandohen gjashtë emra për votim për dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka përfunduar procesi i intervistimit të kandidatëve për dy pozita të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Komisioni i posaçëm ka rekomanduar gjashtë emra për votim në seancë plenare.
Pas përmbylljes së intervistave dhe procesit të poentimit, Komisioni vendosi që Kuvendit t’ia dërgojë listën e gjashtë kandidatëve të suksesshëm, të cilët do të jenë në garë për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, raportoi “Betimi për Drejtësi”.
Komisioni i posaçëm ishte i përbërë nga Vigan Qorrolli si kryetar, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Arian Tahiri nga PDK-ja, Armend Zemaj nga LDK-ja, Sllavko Simiq nga Lista Serbe, Besnik Tahiri nga AAK-ja dhe Artan Asllani nga Grupi Parlamentar multietnik.
Ky komision kishte konstatuar më herët se 25 kandidatë i plotësonin kushtet formale për kandidim. Pjesë e tij ishin edhe Arjeta Sadiku, zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe Safet Hoxha nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkaq, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, megjithëse anëtar i komisionit, mungoi si në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve, ashtu edhe në intervistimin e kandidatëve.
Në total, për këto dy pozita kishin aplikuar 25 kandidatë: Vigan Rogova, Zahir Qerkini, Besart Belegu, Makfirete Krasniqi, Selman Ymeri, Avdylkader Muçaj, Elton Tota, Benina Kusari, Ramadan Gashi, Rafet Haxhaj, Shabi Idrizi, Shpresa Emra, Valbona Shala-Thaçi, Suzana Gashi, Ardita Haxhnikaj-Demi, Novitet Nezaj, Alban Muriqi, Emine Abdyli-Pozhari, Nazmije Krasniqi-Jusufi, Përparim Kalo, Riza Krasniqi, Flamur Mrasori, Jorida Xhafaj, Islam Sllamniku dhe Bahrie Zaçaj.

Intervistat janë mbajtur më 7 dhe 8 prill, ku u paraqitën 22 kandidatë, pasi tre prej tyre u tërhoqën nga gara. Bëhet fjalë për Rafet Haxhajn, Nazmije Krasniqi-Jusufi dhe Riza Krasniqin.
Në fund të këtij procesi, Komisioni rekomandoi gjashtë kandidatë për votim në Kuvend, prej të cilëve do të zgjidhen dy gjyqtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese.