25.03.2026
1 min read

Gjykata Kushtetuese rrëzon dekretin e Osmanit, Kuvendi ka edhe 34 ditë për zgjedhjen e Presidentit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë aktgjykimin lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke konstatuar se dekreti i 6 marsit 2026 nuk prodhon asnjë efekt juridik. Sipas vendimit, deputetëve u jepen edhe 34 ditë afat nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për ta zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. 

Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se afati kushtetues i paraparë në nenin 86, paragrafi 2, sipas të cilit Presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, është detyrues dhe nuk mund të relativizohet. Megjithatë, Kushtetuesja vlerëson se në rrethanat konkrete, pas konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, Kuvendi nuk ka pasur në dispozicion afatin e plotë 60-ditor për ta përmbyllur procedurën e zgjedhjes së kreut të shtetit. 

Gjykata ka sqaruar se, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë Presidentin brenda 34 ditëve të përcaktuara me këtë aktgjykim, atëherë Kuvendi shpërndahet ex constitutione, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga dita e shpërndarjes. Po ashtu, është bërë e ditur se masa e përkohshme e vendosur më 9 mars 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi, i cili hyn në fuqi menjëherë. 

Në dispozitivin e vendimit, Gjykata njëzëri e ka shpallur të pranueshme kërkesën e LVV-së dhe ka konstatuar se dekreti presidencial nuk ka efekt juridik, duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit në Kuvend. Vendimi pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën e krizës institucionale dhe në përcaktimin e hapave të ardhshëm politikë në vend. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

57-vjeçari paraqitet në polici dhe dorëzon vullnetarisht armë zjarri në Shtime

Next Story

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një grua, e cila dyshohet për kryerjen e veprës penale „Vjedhje”.

Latest from Blog

Go toTop