Profesori Enver Hasani është ftuar për të dëshmuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë lidhur me pretendimet e tij se dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Avni Puka, posedon diplomë të falsifikuar të doktoratës dhe se një punim tjetër i doktoratës është plagjiaturë.
Hasani ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se është ftuar të merret në pyetje më 17 mars 2026. Ftesa vjen pasi ai kishte deklaruar publikisht se posedon dëshmi për këto pretendime, duke shtuar se deri atëherë nuk ishte ftuar nga Prokuroria për t’i paraqitur provat e tij.
Pas këtyre deklarimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar më 26 shkurt 2026 se ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprime hetimore për të verifikuar pretendimet e ngritura nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, deklaratat e Hasanit në emisionin “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar më 25 shkurt 2026, janë trajtuar me vëmendje, me qëllim sigurimin e informatave dhe provave shtesë për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe dekanin Avni Puka për të marrë një qëndrim lidhur me këto pretendime, por deri në publikimin e raportit nuk është kthyer përgjigje.
Ky rast ishte trajtuar edhe më herët nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila më 16 prill 2025 kishte marrë vendim për mbylljen e tij me shënim zyrtar. Sipas arsyetimit të asaj kohe, hetimet kishin vërtetuar se Avni Puka ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Romës “La Sapienza” dhe se në Universitetin e Prishtinës kishte prezantuar diplomën origjinale.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, kishte deklaruar se mbyllja e rastit ishte bazuar në provat e siguruara nga Universiteti i Prishtinës dhe në përgjigjet e ardhura nga Italia. Ai kishte theksuar se nëse paraqiten prova të reja që kundërshtojnë ato gjetje, atëherë do të duhej të vërtetohej nëse ka pasur deklarim të rremë, falsifikim apo ndonjë veprim tjetër penal nga cilado palë.
Dyshimet fillestare ishin paraqitur nga Hasani më 19 qershor 2023 përmes e-mailit, ku ai kishte pretenduar se Puka mund të kishte kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Sipas tij, Puka kishte deklaruar rrejshëm se ka kryer doktoratën në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza” në Romë, ndërsa një punim tjetër doktorate të kryer në Universitetin e Prishtinës e kishte plagjiaturë.
Megjithatë, në raportin përmbyllës të vitit 2025, Prokuroria kishte konstatuar se nga provat e administruara nuk mbështetej dyshimi i arsyeshëm se Avni Puka kishte kryer ndonjë vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare. Po ashtu, ishte theksuar se Universiteti “La Sapienza” kishte konfirmuar përfundimin e studimeve të doktoratës nga Puka, ndërsa ishte vërtetuar edhe origjinaliteti i punimit të doktoratës me titull “Përgjegjësia penale e personave juridikë”, të mbrojtur më 8 shtator 2016 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Prokuroria kishte lënë të hapur mundësinë që rasti të rihapej nëse në të ardhmen do të paraqiteshin prova të reja.