Pamje të reja të publikuara së fundmi nga dosjet e Jeffrey Epstein sugjerojnë se ai kishte vendosur kamera të fshehta në zyrën e shtëpisë së tij në Palm Beach, Florida.
Videot, me cilësi të ulët, japin pamje të drejtpërdrejtë të tavolinës së punës në zyrë dhe në disa sekuenca Epstein shihet i ulur pas saj, ndërsa persona të tjerë shfaqen pranë tavolinës. Pamjet janë raportuar si pjesë e materialeve të nxjerra nga publikimet e fundit të dokumenteve dhe materialeve të lidhura me çështjen.
Nuk dihet saktësisht kur janë xhiruar këto video. Megjithatë, raportime të mëhershme kanë dokumentuar se gjatë hetimeve në Palm Beach, policia kishte gjetur pajisje kamerash të fshehta në pronat e Epstein (përfshirë një kamerë të maskuar në zyrë dhe një tjetër në garazh).
Disa nga viktimat e Epstein kanë deklaruar ndër vite se besonin se ai përdorte një rrjet pajisjesh regjistrimi në banesat e tij, çka ka ushqyer dyshime se ai mund të ketë mbledhur materiale komprometuese për personat me të cilët shoqërohej.
Dalja në publik e këtyre pamjeve vjen pas publikimit të një sasie shumë të madhe materialesh nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, në kuadër të procesit të deklasifikimit/zbardhjes së dosjeve të Epstein, ku përfshihen edhe mijëra video dhe qindra mijëra imazhe.




Burimi: Daily Mail/