12.02.2026
2 mins read

Rasti Sekiraqa, detaje nga aktakuza për incidentin në lokalin “From”, në Prishtinë: armë, maska dhe vetura me targa të vjedhura

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas përfundimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave të dyshuar, lidhur me përballjen e armatosur në lagjen Aktash të Prishtinës, ku u përfshinë dy grupe të njohura si Sekiraqa dhe Gashi (të fundit të njohur edhe si “Capat”).

Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., V.A., D.M. dhe E.M., të grupit të identifikuar me nofkën “C”, dyshohet se më 1 shtator 2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi”, pas një marrëveshjeje paraprake janë grumbulluar, janë maskuar dhe janë pajisur me armë të gjata e të shkurtra, si dhe mjete të forta. Po ashtu, thuhet se kanë përdorur tri vetura (Porsche, Volkswagen Polo dhe Audi A7), të cilave u kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura, me qëllim që të tentojnë t’i privojnë nga jeta S.S. dhe anëtarë të grupit të tij, përkatësisht F.A., E.LL. dhe R.LI.

Për këto veprime, Prokuroria vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar mirë për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, si dhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkohë, sipas komunikatës së Prokurorisë (transmetuar nga Klankosova.tv), i pandehuri S.S., bashkë me anëtarët e grupit të tij F.A., E.LL. dhe R.LL., dyshohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve, në të njëjtin vend, kanë privuar nga jeta P.G., si dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta edhe të pandehur të tjerë. Për këtë pjesë, ata akuzohen për “vrasje të rëndë”, si dhe për posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri V.B. akuzohet edhe për veprën penale “manipulim me prova”, si dhe për posedim të paautorizuar të armëve.

Prokuroria thotë se motivi i ngjarjes lidhet me një konflikt të mëhershëm të 4 marsit 2024, ndërmjet SH.S. (djalit të të pandehurit S.S.) dhe P.G. (vëllait të tani të ndjerit P.G.), konflikt që, sipas hetimeve, ka përshkallëzuar armiqësinë mes dy grupeve.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa ka kërkuar edhe vazhdimin e masës së paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Avokati i Kadri Veselit thotë se, Veseli nuk ka qenë ne Kosovë gjatë asaj periudhe

Next Story

Dixon “shpërthen” në Hagë: “ZPS s’ka argumente, vetëm lodh trurin”

Latest from Blog

Go toTop