04.02.2026
1 min read

Punëtori humbi jetën pas kontaktit me gjeneratorin, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj pronarit dhe kompanisë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi fizik dhe një personi juridik, lidhur me dyshimet për rrezikim të sigurisë në vendin e punës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K., më 7 korrik 2025, në fshatin Gorazhdevc, si pronar i kompanisë “Luani Transport”, dyshohet se nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për siguri dhe shëndet në punë. Prokuroria thotë se ai nuk ka krijuar kushte të sigurta pune, nuk ka ofruar trajnim për sigurinë në punë, as informacion për rreziqet dhe përdorimin e duhur të makinerisë.

Në aktakuzë përmendet se punëtori S.R., i cili sipas përshkrimit të detyrës ishte pastrues, ka humbur jetën në vendin e punës si pasojë e kontaktit me gjeneratorin.

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj kompanisë “Luani Transport”, për të cilën prokuroria thotë se nga pakujdesia dhe për shkak të mosplotësimit të kushteve të punës sipas legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat dhe rregullat teknike mbi masat e sigurisë në vendin e punës, me ç’rast si pasojë ka humbur jetën punëtori S.R.

Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që, përveç dënimit për veprën penale të pretenduar, të shqiptohet edhe dënimi plotësues “ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”, konkretisht ndalimi i veprimtarisë së seperacionit. Sipas prokurorisë, kjo kërkesë lidhet me faktin se i pandehuri dyshohet se e ka ushtruar veprimtarinë pa licencë dhe pa përmbushur kriteret bazë të sigurisë në vendin e punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Faton Peci intervistohet si i dyshuar nga Prokuroria Speciale, gjithashtu edhe Arben Vitia

Next Story

Komuna e Ferizajt lidh kontratë rreth 150 mijë euro me kompani që në ARBK figuron e shuar

Latest from Blog

Go toTop