Çerdhja në Gremë të Ferizajt vazhdon të mbetet jashtë funksionit prej vitesh, ndonëse projekti është iniciuar që nga viti 2016 dhe objekti është raportuar si i pajisur e “i gatshëm” për punë. Në disa raste, objekti është dëmtuar, ndërsa institucionet komunale e kanë lidhur mosfunksionalizimin kryesisht me mungesën e stafit dhe kufizimet për përfshirje të punëtorëve në listat e pagave.
Gurthemeli i çerdhes u vendos në nëntor 2016 në fshatin Gremë, në një ceremoni ku morën pjesë edhe përfaqësues të Komunës së Ferizajt.
Raportimet e KALLXO.com tregojnë se objekti ka mbetur jofunksional për një periudhë të gjatë dhe është përballur me dëmtime. Në prill të 2020 çerdhes “i thehet dera dhe disa mobilje”, ndërsa drejtori i Arsimit i asaj kohe, Afrim Llabjani, e lidhi vonesën me pamundësinë për t’i përfshirë edukatorët/punëtorët në listat e pagave, duke përmendur si ide edhe një model partneriteti publiko-privat.
Më 8 mars 2021, KALLXO raportoi se çerdhja ishte dëmtuar sërish, duke theksuar se objekti “ende nuk është në funksion” dhe se ishte dëmtuar edhe në prill 2020. Në të njëjtin raportim përmendet edhe pretendimi se çerdhja është ndërtuar më 15 nëntor 2016 dhe se “deri më tani nuk ka qenë funksionale asnjëherë”.
Në paralel, çështja u trajtua edhe në rubrikën e verifikimit të deklaratave (Krypometër), ku citohet deklarata e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, e 9 tetorit 2020: se çerdhja do të funksionalizohej “shumë shpejt”, “ndoshta në vitin 2020”. Krypometër konstatoi se kjo nuk ndodhi, ndërsa në janar 2021 drejtori i Arsimit konfirmoi se çerdhja nuk ishte funksionalizuar dhe përmendi si arsye pamundësinë për rritje të numrit të punëtorëve në listat e pagave, duke thënë se po shqyrtoheshin modele alternative, përfshirë partneritetin.
Edhe në vitin 2022, tema u rikthye në media. Zëri raportoi më 8 maj 2022 se edhe pas pesë vjetësh çerdhja mbetej jashtë funksionit dhe se banorët detyroheshin t’i dërgonin fëmijët në çerdhe private në qytet.
Në vitin 2023, sërish çerdhja në Gremë “prej vitesh ka mbetur jofunksionale” dhe se objekti ishte demoluar në vitin 2020. Në këtë raportim citohet edhe përfaqësuesi i fshatit, Besim Ahmeti, i cili thekson se çerdhja nuk ka qenë funksionale “asnjëherë” që nga ndërtimi dhe se banorët detyrohen të gjejnë forma alternative për t’i dërguar fëmijët në çerdhe.
Në shtator të vitit 2025, çerdhja hyri në funksion, por nuk zgjati shumë, tani me datën 20 janar ajo është jashtë funksionit. /Guxo.info/.