Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe 122 janë lënduar pas një aksidenti të rëndë mes dy trenave me shpejtësi të lartë në jug të Spanjës, pranë Adamuz, në provincën e Kordobës, raportojnë autoritetet dhe mediat vendore.
Sipas informatave paraprake, aksidenti ndodhi kur një tren doli nga shinat dhe përfundoi në binarët e drejtimit të kundërt, duke u përplasur më pas me një tren që po vinte përballë. Operacionet e shpëtimit u vështirësuan edhe nga terreni i thepisur dhe qasja e kufizuar në vendngjarje.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka premtuar një hetim “të plotë dhe absolutisht transparent”, ndërsa janë shpallur tri ditë zie kombëtare. Si pasojë e aksidentit, linja e shpejtë Madrid–Andalusi është pezulluar të paktën deri të premten.
Presidenti i operatorit shtetëror hekurudhor Renfe, Álvaro Fernández Heredia, është shprehur se “gabimi njerëzor praktikisht përjashtohet” si shkak i përplasjes, ndërkohë që hetimet po fokusohen edhe te mundësia e një defekti teknik apo problem infrastrukture.
Autoritetet kanë hapur zyra në disa qytete për t’u mundësuar familjarëve të viktimave dhënien e mostrave të ADN-së, me qëllim identifikimin e të vdekurve.
Ndërkohë, sipas Reuters, sindikata e drejtuesve të trenave SEMAF kishte paralajmëruar më herët operatorin e infrastrukturës ADIF për konsumim dhe dëmtime të konsiderueshme në segmentet e hekurudhës së shpejtë, përfshirë edhe një pjesë që lidhet me zonën e aksidentit. /Guxo.info/.