Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca e së hënës në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, në rastin që lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi”. Anulimi është bërë për shkak se ende nuk ka përfunduar ekspertiza financiare, e cila pritet të jetë bazë për vazhdimin e procedurës.
Nga zyra e gjykatëses Violeta Namani-Hajra është konfirmuar se seanca e planifikuar për sot nuk është mbajtur, ndërsa seanca e radhës do të caktohet pasi gjykata ta pranojë ekspertizën financiare.
Të akuzuarit, sipas Prokurorisë Speciale, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje: Pal Lekaj në cilësinë e ish-ministrit të Infrastrukturës, Eset Berisha si këshilltar i lartë politik, Nebih Shatri si sekretar i përgjithshëm në ministri, dhe Besim Tahiri si drejtor i prokurimit publik.
Ndërkohë, është bërë e ditur se kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit Eset Berisha për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”.
Ky rast ishte përfunduar me aktgjykim më 31 janar 2024, kur Themelorja në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit dhe i kishte dënuar gjithsej me 10 vjet e 3 muaj burgim. Sipas vendimit, Pal Lekaj ishte dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv dhe me dënim plotësues ndalim të ushtrimit të funksionit publik për 3 vjet e 6 muaj. Eset Berisha ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të funksionit publik për 3 vjet. Ndërsa Nebih Shatri dhe Besim Tahiri ishin dënuar secili me nga 1 vit e 8 muaj burgim, si dhe me ndalim të ushtrimit të funksionit publik për 2 vjet.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim, duke e rikthyer procedurën në shkallën e parë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022, Prokuroria Speciale i akuzon të pandehurit se në bashkëveprim dhe me dashje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në procesin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë–Hani i Elezit, e njohur si “Arbën Xhaferi”. /Guxo.info/