Duke u nisur nga liria e të shprehurit – pra liria e fjalës – dhe më pas përpunimi i kësaj lirie në informacion, narrativa, analiza, opinione e të tjera, ky proces i zhvillimit ka shkaktuar shumë rrëmujë në periudha të ndryshme kohore.
Që nga koha e Areopagitica së John Milton, si një nga përpjekjet dhe arritjet e para më të rëndësishme për të mbrojtur lirinë e shtypit (medias), që ajo të jetë e lirë dhe të mos frikësohet nga kontrolli i elitave pushtetare e të fuqishme, e deri te epoka e digjitalizimit dhe informacionit të çrregullt e të (fake news), media ka kaluar në faza të shumta tranzicioni. Me kalimin e viteve ajo ka fituar potencial të madh ndikimi në formësimin e opinionit publik, në fusha të ndryshme si ekonomia, kultura, politika e të tjera.
E dimë dhe e kemi të evidentuar se media shpesh përcakton drejtimin e një pjese të madhe të shoqërisë: se cilin orientim politik ndjek ajo, çfarë kulture kultivon dhe në ç’pozita shoqërore orientohen individët. Në dy dekadat e fundit, ndikimi i medias është kthyer në një armë shumë të fortë formësuese, sidomos me rritjen e ndërveprimit të njeriut me median, veçanërisht me atë sociale. Kur them periudha 20-vjeçare, kam parasysh zhvillimet teknologjike dhe qasshmërinë në mediat online.
Mundësia që secili të jetë burim informacioni, shpërndarës narrativesh apo opinionist i ndjekur nga mijëra njerëz, në një formë e ka reduktuar kredibilitetin e mediave profesionale.
Aty ku në qendër të vëmendjes vendoset ndikimi emocional, shfaqen edhe shtrembërime të mëdha informative. Natyra njerëzore e ka të vështirë të fokusohet vetëm te fakti dhe e vërteta kur përballë ka dhjetëra e qindra informacionе të tjera që zbehin besimin në fakt dhe ushtron presion emocional e psikologjik te individi.
Çfarë po shkakton kjo mundësi që të gjithë të jenë imponues informacioni? A po krijohet hutim në perceptimin e së vërtetës objektive, apo nga ana tjetër, larmia e informatave po u mundëson qytetarëve më shumë hapësirë interpretimi, duke bërë që secili të besojë se e di çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo?
Në kohën kur media kontrollohej, nuk kishte qasje në informacion objektiv. E vërteta ishte e filtruar apo zëvendësuar me propagandë, dhe shpesh gënjeshtra prezantohej si realitet.
Po sot, si perceptohet media në një kohë kur në shumë vende të Evropës dhe SHBA liria e mediave është pothuajse maksimale – veçanërisht në Kosovë? A janë në rrezik strukturat informative në Kosovë, ku shpesh gjithçka konsiderohet gënjeshtër dhe fake news, ku polarizimet politike janë të theksuara, shoqëria e ndarë dhe njerëzit besojnë vetëm atë që duan të besojnë?
A duhet që mediat profesionale të distancohen nga krijimi i narrativave që anojnë kah një perceptim politik i caktuar?
Nga ana tjetër nuk duhet harruar se në Kosovë ndoshta vetëm një pjesë e mediave tentojnë të ruajnë balancën. Institucionet shpesh nuk janë faktorë ndryshimi, shoqëria është pasive, ndërsa media përpiqet vazhdimisht të reagojë dhe të krijojë balancë në situata politike.
A duhet të veprohet që media të bëhet një faktor edhe më i fuqishëm në ndikimin ndaj shoqërisë dhe politikës?
Redon Krasniqi/ https://guxo.info/.