Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka cilësuar luftën në Ukrainë si një “rrëmujë” dhe një prej krizave më të vështira për t’u zgjidhur. Duke folur në mbledhjen e fundit të kabinetit për vitin 2025, Trump tha se administrata e tij ka ndërprerë plotësisht ndihmën financiare për Kievin dhe po pret rezultatet e takimit mes Witkoff dhe Vladimir Putinit.
“Ne nuk jemi më të përfshirë financiarisht në luftë,” tha Trump, duke kritikuar paraardhësin e tij Joe Biden për ndarjen e “350 miliardë dollarëve, sikur të ishin karamele”, për Ukrainën. Ai u shpreh se shumica e këtyre fondeve ishin para të gatshme dhe pajisje ushtarake.
Trump theksoi se administrata e tij nuk i ofron më armë falas Ukrainës, por i shet pajisjet vendeve të NATO-s, të cilat më pas i dërgojnë ato sipas planeve të tyre. “Kombet evropiane na paguajnë me çmim të plotë dhe pastaj i çojnë ato në Ukrainë ose ku të duan,” tha ai.
Duke folur për përpjekjet për ndërmjetësim, Trump deklaroi se ekipi i tij ndodhet në Rusi për të parë nëse ekziston mundësia e një marrëveshjeje. “Kam zgjidhur tetë luftëra. Kjo do të ishte e nënta. Por nuk është një situatë e lehtë… çfarë rrëmuje,” u shpreh ai.
Presidenti amerikan përsëriti qëndrimin se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës nuk do të kishte shpërthyer kurrë nëse ai do të ishte president në mandatet e mëparshme. “S’kishte asnjë shans të ndodhte. Dhe nuk ndodhi për katër vjet,” tha Trump.