Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka deklaruar se sot qytetarët e Kosovës gëzojnë nivelin më të lartë të mirëqenies financiare që kanë pasur ndonjëherë. Në intervistën e dhënë mbrëmë në emisionin Pressing në T7, ajo tha se pavarësisht rritjes së çmimeve, të dhënat financiare tregojnë për një rritje të theksuar të të ardhurave.
“Fakt është që qytetari i Kosovës kurrë ma shumë para s’ka pasë. Sot qytetari i Kosovës ka më shumë para sesa para 10 viteve. Ky është një fakt i pamohueshëm”, u shpreh Gashi, duke akuzuar kritikët se po zgjedhin shembuj që përputhen me narracionet e tyre.
Deklarata e saj nxiti reagim të menjëhershëm nga Burim Ramadani, i cili tha: “Ndal veç pak. Ju lutem, qytetarë, këqyreni”, duke vënë në dyshim vlerësimin e zyrtares së Qeverisë.
Gashi theksoi gjithashtu se një numër i madh i qytetarëve që jetojnë jashtë vendit po kthehen në Kosovë, gjë që sipas saj lidhet me progresin e bërë gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot kemi pensionistë nga Zvicra e Gjermania që po rikthehen, por edhe profesionistë të shumtë që çdo ditë vendosin të kthehen në vend”, tha ajo.
Ajo shtoi se migrimi nuk është diçka e re dhe se në vitin 2015 rreth 178 mijë persona e kishin lënë Kosovën.