Bisedimet pesëorëshe të mbajtura të martën në Moskë midis SHBA-së dhe Rusisë nuk sollën asnjë përparim konkret drejt një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën. Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, udhëtoi në Kremlin për të diskutuar një plan të ri paqeje, por takimi përfundoi pa rezultate të prekshme.
Pavarësisht vlerësimeve pozitive për atmosferën e diskutimeve, ndihmësi i presidentit rus Vladimir Putin, Yuri Ushakov, tha se ende ka “shumë punë për të bërë”. Ai konfirmoi se palët kanë trajtuar një plan me 27 pika dhe se SHBA ka dorëzuar dokumente shtesë, por detajet janë mbajtur konfidenciale.
Qëndrimet mes Moskës dhe Kievit mbeten shumë larg njëra-tjetrës. Rusia vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territoret e pushtuara në lindje dhe kundërshton garancitë e sigurisë për Ukrainën të mbështetura nga Perëndimi. Kievi dhe aleatët evropianë – të pakënaqur për faktin se u përjashtuan nga raundet e para të negociatave SHBA-Rusi – kishin rishikuar më herët draftin fillestar, duke e reduktuar atë nga 28 në 19 pika.
Pak para takimit, Putin ngriti tonet kundër Evropës, duke e quajtur të papranueshme kundër-propozimin evropian për paqe dhe duke paralajmëruar se Rusia është “plotësisht e gatshme” nëse kontinenti “vendos të nisë luftën”. Ai tha se Evropa nuk ka “agjendë paqeje”.
Në Bruksel, shqetësimet po rriten se presidenti amerikan Donald Trump mund të shfaqet më i hapur ndaj kërkesave të Moskës, për të arritur një marrëveshje të shpejtë. Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se “Rusia nuk kërkon paqe” dhe se Ukraina duhet të mbështetet maksimalisht.
Megjithë tensionet, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u përpoq të ruajë optimizmin, duke u thënë ligjvënësve irlandezë se vendi është “më afër paqes se kurrë më parë” pas konsultimeve me Uashingtonin.
Rusia nuk ka ngutje për marrëveshje
Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se Kremlini po e zvarrit qëllimisht procesin, duke besuar se ka avantazh ushtarak dhe mund të kërkojë lëshime të mëdha nga Ukraina. Investitori Paul Skinner tha për CNBC se konflikti pritet “të vazhdojë gjatë”, duke theksuar se Putini nuk ka arsye të nënshkruajë paqe ndërsa pretendon fitore në terren.
Presidenti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, Michael Froman, tha se për Putinin është më e leverdishme të zgjasë bisedimet, duke i përdorur ato për të shtyrë një dialog më të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve me Perëndimin – ndërkohë që Rusia vazhdon goditjet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Edhe ish-këshilltari i lartë i administratës Biden, Amos Hochstein, paralajmëroi se çdo marrëveshje do të jetë e vështirë, pasi Ukraina pritet të përballet me kërkesa të rënda për dorëzim territori, ndërsa garancitë e sigurisë për të mbeten “të dobëta”.
Sipas tij, Rusia nuk ka asnjë nxitje për të përmbyllur procesin: “Rusët nuk kanë ngutje për një marrëveshje. Ata varen nga lufta dhe nga ekonomia e saj.” burimi nga CNBC.