Infertiliteti prek rreth një në gjashtë persona në moshë riprodhuese në mbarë botën, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila të premten publikoi udhëzuesin e parë global për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e këtij problemi në rritje.
Sipas OBSH-së, qasja në shërbimet e fertilitetit mbetet shumë e kufizuar, pavarësisht përhapjes së madhe të infertilitetit. Në shumë vende, vizitat, testet dhe trajtimet paguhen kryesisht nga vetë pacientët, duke krijuar barrë të rëndë financiare. Në disa raste, një raund i vetëm i fertilizimit in vitro (IVF) mund të kushtojë dyfishin e të ardhurave mesatare vjetore të një familjeje
“Infertiliteti është një ndër sfidat më të neglizhuara të shëndetit publik në kohën tonë dhe një çështje e madhe e barazisë globale”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai tha se miliona njerëz përballen të vetëm me këtë sfidë, shpesh duke zgjedhur trajtime më të lira por të paprovuara, ose duke u detyruar të vendosin mes dëshirës për fëmijë dhe sigurisë financiare.
Udhëzuesi i ri i OBSH-së përfshin 40 rekomandime, të cilat mbulojnë të gjithë procesin: nga identifikimi i shkaqeve të zakonshme të infertilitetit, këshillimi dhe planifikimi, deri te procedurat mjekësore si inseminimi intrauterin dhe IVF.
OBSH paralajmëron se infertiliteti mund të shkaktojë stigmë, ankth dhe vështirësi ekonomike, dhe bën thirrje për investime më të mëdha në parandalim. Kjo përfshin informimin mbi pjellorinë, rreziqet e lidhuara me moshën dhe trajtimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Ndryshimet në stilin e jetesës – si ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik dhe ndërprerja e duhanit – rekomandohen për të gjithë personat që planifikojnë ose përpiqen të mbeten shtatzënë.
“Parandalimi dhe trajtimi i infertilitetit duhet të mbështeten në barazinë gjinore dhe të drejtat riprodhuese”, tha Pascale Allotey, drejtoreshë në OBSH për shëndetin seksual dhe riprodhues, transmeton Anadollu.