Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në një postim për Ditën e Flamurit ka theksuar rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe orientimit europian të shqiptarëve kudo që janë.
Ahmeti u shpreh se angazhimi i përbashkët duhet të jetë mbështetja e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, ndërsa theksoi se shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë, në Mal të Zi dhe në mërgatë mbeten pjesë e pandashme e këtij vizioni.
Në mesazhin e tij, ai shkroi:
“Një komb, një gjuhë, një flamur, një qëndrim – të bashkuar në Europë. Kombi nderohet me vepra dhe përkushtim çdo ditë, në çdo gjë që bëjmë dhe çdo fjalë që themi. Të gjithë bashkë e kemi obligim ta ndihmojmë Shqipërinë që të anëtarësohet në Bashkimin Europian më 2030. Po aq sa kemi obligim ta rrumbullakojmë shtetësinë e Kosovës në partneritet me SHBA dhe BE. Kemi detyrim të sigurojmë barazinë në Maqedoninë e Veriut dhe integrimin europian. Dhe kemi amanet shqiptarët në Luginë, në Mal të Zi dhe në mërgatë.”
Mesazhi i Ahmetit përmbyllet me thirrjen për unitet dhe përkushtim ndaj interesit kombëtar.