Në Prekaz ka nisur zyrtarisht aktiviteti i parë i 28 Nëntorit, gara simbolike “Vrapimi i Nëntorit”, e cila këtë vit ka mbledhur mbi 400 vrapues, një pjesëmarrje rekord për këtë event.
Organizatorja Valdete Çollaku ka bërë të ditur se edicioni i pestë i garës shënon një risi të rëndësishme, pasi për herë të parë starti zhvillohet pikërisht në Prekaz – vendi i shenjtë i rezistencës shqiptare.
“Sivjet kemi dy disiplina: 28 kilometra, në nder të 28 Nëntorit, dhe 11 kilometra që simbolizojnë muajin e njëmbëdhjetë. Të dy garat nisin në Prekaz dhe përfundojnë në sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj,” u shpreh Çollaku.
Ajo theksoi se kushdo që merr pjesë në këtë garë e bën atë me ndjenjë të veçantë, duke kujtuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
“Pavarësisht motit dhe baltës në shteg, vrapuesit nuk do ta ndiejnë lodhjen. Kjo garë mbahet në nder të atyre që sakrifikuan gjithçka dhe falë tyre ne sot vrapojmë të lirë. Me 410 pjesëmarrës, kemi numrin më të lartë ndonjëherë. Prekazi sot ka më së shumti garues – është nder i madh, është krenari,” tha ajo për RTK.
Gara po zhvillohet në atmosferë festive dhe pritet të vazhdojë si një nga aktivitetet kryesore të shënimit të Ditës së Flamurit në Prekaz dhe Skenderaj.