Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka pritur sot në kompleksin presidencial në Ankara kreun e Vatikanit dhe Kishës Katolike, Papa Leonin XIV, raporton agjencia turke Anadolu.
Kjo vizitë shënon udhëtimin e parë zyrtar të Papës jashtë Vatikanit që nga zgjedhja e tij në krye të Kishës Katolike.
Gjatë takimit kokë më kokë, dy liderët pritet të diskutojnë mbi marrëdhëniet mes Turqisë dhe Vatikanit, si dhe zhvillimet rajonale e globale, me theks të veçantë tek situata në Palestinë, ku tensionet janë rritur ndjeshëm muajt e fundit.
Pas bisedimeve dypalëshe, Erdogan dhe Papa Leoni XIV do të mbajnë një konferencë për media, ku pritet të japin detaje nga diskutimet dhe qëndrimet e tyre.
Para takimit zyrtar, Papa Leoni vizitoi Anitkabir, mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut – themeluesit të Republikës së Turqisë – ku bëri homazhe përpara se të pritej me ceremoninë zyrtare në kompleksin presidencial.
Vizita konsiderohet e rëndësishme për marrëdhëniet Turqi–Vatikan dhe vjen në një periudhë tensioni të lartë në Lindjen e Mesme.