Për herë të parë që nga marrja e pushtetit në komunat veriore, Lista Serbe ka përdorur emërtimin kushtetues “Republika e Kosovës” në dokumentet zyrtare. Ky ndryshim është vërejtur në ftesat për seancën konstituive të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të planifikuar për datën 5 dhjetor 2025.
Ftesa, e nënshkruar nga kryetari i zgjedhur, Milan Radojeviç, i është dërguar anëtarëve të rinj të Kuvendit Komunal në të dy gjuhët zyrtare. Në të thuhet se seanca do të zhvillohet në orën 11:00, ndërsa gjatë saj pritet që këshilltarët e rinj të bëjnë betimin dhe të nënshkruajnë deklaratën solemne të marrjes së mandatit.
Ky veprim vjen pas vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila kishte bërë të ditur se seancat konstituive nuk mund të mbaheshin pa vulat dhe kredencialet zyrtare të Republikës së Kosovës.
Përdorimi i emrit kushtetues shënon një ndryshim domethënës nga praktika e deritanishme e Listës Serbe, e cila në komunat veriore ka shmangur referimin zyrtar ndaj Kosovës. Ky zhvillim po vlerësohet si një hap i pazakontë në raport me qasjen politike të këtij subjekti në veri të vendit.



