Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur në mbledhjen e Qeverisë se Kombëtarja e Kosovës do të shpërblehet financiarisht për arritjet historike në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Sipas tij, Qeveria ka ndarë 250 mijë euro për suksesin e arritur deri tani dhe kalimin në fazën play-off. Ai ka shtuar se shpërblimet do të rriten nëse Përfaqësuesja arrin rezultate edhe më të mëdha.
“Në rast të fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim prej 500 mijë eurosh. Ndërsa, nëse Kosova siguron kualifikimin në Botëror, shpërblimi do të jetë 1 milion euro,” ka deklaruar Kurti.
Kosova do të zhvillojë ndeshjen e saj të rëndësishme të play-off-it më 26 mars në Bratislavë, kundër Sllovakisë.
Nëse arrin fitore, Përfaqësuesja do ta luajë ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botërorin 2026 në Prishtinë, ndaj fituesit të takimit Turqi – Rumani.