Rrëmuja në kampin e Liverpool-it po bëhet çdo ditë e më e rëndë. Pas disfatës së rëndë ndaj PSV Eindhoven në Anfield, situata ka marrë përmasa dramatike, duke rritur ndjeshëm zërat për një largim të mundshëm të trajnerit Arne Slot. Mediat britanike raportojnë se kriza aktuale e “The Reds” është ndër më të rëndat në dekadat e fundit.
Sipas prestigjiozes The Times, kjo periudhë e errët duket pa fund: “Rënia e Liverpool-it nuk ka ndërmend të ndalet dhe Slot nuk po gjen përgjigje.” Humbja ndaj PSV-së ishte e 9-ta në 12 ndeshjet e fundit, duke regjistruar serinë më negative që nga viti 1954, një statistikë alarmante për një klub të këtij niveli.
Edhe The Guardian nuk kurseu kritikat, duke e cilësuar paraqitjen si “katastrofike” dhe ekipin si të “shkatërruar nga PSV”. Ndërkohë, Daily Telegraph paralajmëron se përballja me realitetin është e pashmangshme: “Pas serisë më të dobët në 72 vitet e fundit, Liverpool po afrohet me të pamendueshmen.”
E pamendueshmja për mediat angleze nënkupton pikërisht shkarkimin e Arne Slot — trajnerit që vetëm pesë muaj më parë fitoi titullin e Premier League në sezonin e tij debutues. Daily Mail e përshkruan klubin si “një katastrofë të vërtetë”, duke theksuar se Salah dhe shokët janë kthyer në objekt talljesh në arenën evropiane.
Presioni ndaj Arne Slot po rritet dita-ditës dhe atmosfera në Liverpool duket më e nxehtë se kurrë, ndërsa klubi legjendar anglez kërkon një mënyrë për të dalë nga ky tunel pa dritë në fund.