Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ish-kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilluan sot një vizitë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të shënimit të “Ditës së Forcës”.
Gjatë vizitës, delegacioni u ndal në kompaninë e armëve të Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, ku u prezantuan armatimet, automjetet dhe pajisjet me të cilat operon FSK-ja. Udhëheqësit u informuan nga afër për kapacitetet dhe zhvillimet e fundit të ushtrisë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në fjalën e tij përshëndetëse, uroi oficerët, nënoficerët, ushtarakët në pension dhe stafin civil, duke vlerësuar lart historinë dhe përparimin e FSK-së. Ai theksoi se ushtria e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e brezave dhe sot gëzon respekt të madh ndërkombëtar.
“Ushtria e Kosovës është historia jonë e suksesit. Sot nderojmë rrugëtimin e jashtëzakonshëm të FSK-së, një forcë që po rritet dhe po fiton respektin e aleatëve tanë anembanë botës. Ajo është e gatshme ta mbrojë vendin nga çdo kërcënim apo rrezik”, u shpreh Maqedonci.
Ky aktivitet vlerësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për ushtrinë, duke reflektuar përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.