Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ka bërë sot thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar rëndësinë e votës së diasporës në proceset demokratike të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Hamza njoftoi se aplikimi për regjistrim është i hapur deri më 6 dhjetor 2025 dhe mund të kryhet përmes platformës zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: https://diaspora.kqz-ks.org. Ai rikujtoi gjithashtu se qytetarët kanë mundësi të aplikojnë edhe përmes postës, duke dërguar formularin në adresën e KQZ-së në Kosovë.
Hamza u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të zgjedhin vet mënyrën e votimit, por njëkohësisht i inkurajoi ata që të vijnë në Kosovë më 28 dhjetor dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në vendlindje.
“Ju mirëpresim të vini sa më shumë edhe në atdhe dhe ta ushtroni këtu të drejtën tuaj. Le të jetë 28 dhjetori ditë e festës dhe e fitores sonë të përbashkët,” ka deklaruar ai.
Në posterin e publikuar bashkë me postimin, PDK ka theksuar sërish afatin e fundit për regjistrim – 6 dhjetor 2025, duke bërë thirrje diasporës që të mos e humbasë mundësinë për të qenë pjesë e procesit zgjedhor.