Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës kanë vazhduar edhe sot grevën dyorëshe, si reagim ndaj vonesës së pagave dhe gjendjes së rënduar sociale. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se situata në transmetuesin publik është përkeqësuar në skaj dhe e ka cilësuar atë si të papranueshme.
Sindikata ka theksuar se greva do të vazhdojë edhe ditëve në vijim dhe u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve që ta mbështesin këtë veprim, të cilin e konsideron të drejtë dhe ligjor.
Kreu i sindikatës, Gëzim Bimbashi, ka deklaruar se ende nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës lidhur me zgjidhjen e problemit, pavarësisht kërkesave dhe adresimeve të vazhdueshme nga RTK-ja. Ai është shprehur i habitur se si qeveria gjen mjete financiare për çështje të tjera, ndërsa transmetuesi publik vazhdon të mbetet pa pagesa, ndonëse ka buxhet të ndarë.
Sipas tij, një nismë e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, do të mjaftonte për të proceduar mjetet e nevojshme për pagat. Bimbashi paralajmëroi se situata është aq e rënduar sa rreth gjysma e punëtorëve mund të detyrohen të mos paraqiten më në punë, pasi nuk janë paguar për muaj të tërë.
Ai theksoi se punëtorët e RTK-së nuk janë të përfshirë në politikë dhe se qëllimi i grevës është vetëm realizimi i një të drejte themelore — marrja e pagës.
Sindikata ka paralajmëruar gjithashtu se mungesa e veprimit institucional, përfshirë vonesën në miratimin e ligjit të ri për RTK-në, ka futur transmetuesin publik në një krizë serioze. Ajo i ka bërë thirrje edhe partive politike të legjislaturës së ardhshme që të miratojnë ligjin dhe të sigurojnë funksionimin e vazhdueshëm të RTK-së.
Bimbashi ka kujtuar se RTK ka buxhetin më të ulët në rajon për një medium publik dhe prej pesë vjetësh vazhdon të funksionojë me 2.2 milionë euro më pak se buxheti i paraparë.