Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzoi opozitën për “agjendë antishtetërore”.
Në një postim në Facebook, Musliu-Shoshi tha se Vetëvendosje po e mban shtetin “peng për pushtet”, duke theksuar se qeverisja aktuale po justifikohet vazhdimisht dhe po shfaq, sipas saj, qasje viktimizuese.
Ajo shtoi se “shteti nuk mbahet me arsyetime dhe viktimizim”, duke kritikuar qeverinë për, siç u shpreh ajo, mungesë efikasiteti në menaxhimin e proceseve të rëndësishme.
“Mjaft me fajësime, Glauk. Kosovën nuk e dëmton opozita, por paaftësia e qeverisë që po e fundos vendin çdo ditë”, u shpreh Musliu-Shoshi në reagimin e saj.
Ky është reagimi i radhës nga opozita pas deklaratave të Konjufcës, të cilat kanë tensionuar debatin politik në vend.
Ariana Musliu-Shoshi deklaroi:
“Glauk, mos na e shisni për patriotizëm dështimin! Ju po e mbani shtetin peng për pushtet.
Shteti nuk mbahet me justifikime as me viktimizim. Populli nuk ha propagandë por kërkon punë, rezultate dhe përgjegjësi.
Mjaft me fajësime, Glauk. Kosovën nuk e dëmton opozita, por paaftësia e qeverisë që po e fundos vendin çdo ditë.
Populli nuk mashtrohet më. Keni dështuar dhe sovrani nuk ju fal”.