Nënkryetarja e NISMA Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me diskutimet mbi një bashkim të mundshëm të subjektit me parti të tjera. Ajo tha se marrëveshja e përfolur nuk është realizuar, por theksoi se Nisma do të vazhdojë rrugëtimin e saj politik si forcë e pavarur.
“Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi. Por një gjë mbetet e pathyeshme: Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt”, shkroi Izmaku.
Ajo u bëri thirrje anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të Nismës për mobilizim dhe unitet, duke theksuar se partia do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve me ndershmëri e vizion.
“Politika për ne është përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm”, u shpreh ndër të tjera Izmaku, duke theksuar se gara politike vazhdon dhe se Nisma mbetet në skenë me synime të qarta.
Në fund, ajo i kërkoi mbështetje strukturave dhe qytetarëve: “Nisma vazhdon rrugën me ju nën udhëheqjen e dëshmuar të liderit tonë Fatmir Limaj. Na priftë e mbara!”