Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka bërë të ditur se sot, 26 janar 2026, nga ora 12:00, do të ndërpritet qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë.
Sipas njoftimit, masa vjen si pasojë e protestave të shoferëve të kamionëve që po organizohen në territorin e Serbisë, si reagim ndaj masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shoferët e rajonit.
QKMK thekson se protestat pritet të zgjasin deri në shtatë ditë dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në lëvizjen e mjeteve të transportit dhe të mallrave në pikat kufitare Kosovë–Serbi. Institucioni paralajmëron për mundësi të mbingarkesave dhe radhëve në zonat kufitare, duke rekomanduar që shoqatat e transportit dhe shoferët të qëndrojnë në kontakt të rregullt me homologët dhe kolegët në rajon për informacione të përditësuara.
Për informata shtesë, qytetarët dhe operatorët e transportit mund të kontaktojnë QKMK në numrat: +383 45 198 000, +383 45 198 606, si dhe në numrin pa pagesë 0800 500 95. /Guxo.info/ .