Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik lidhur me qarkullimin e disa e-maileve të rreme që po shpërndahen si kinse komunikime zyrtare nga institucioni. Në këto e-maile, të titulluara “Thirrje Gjyqësore”, pretendohet se dokumentet janë lëshuar nga drejtues të lartë të Policisë, Agjencia e Sigurisë Kibernetike, FBI-ja, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Interpoli.
PK sqaron se këto e-maile nuk janë dokumente zyrtare, por materiale të falsifikuara, të krijuara për qëllime mashtrimi dhe dezinformimi. Asnjë prej përmbajtjeve të tyre nuk vjen nga zyrtarë të Policisë së Kosovës apo nga ndonjë institucion tjetër i sigurisë.
Pasi është informuar për rastet e përsëritura të qarkullimit të këtyre mesazheve, Policia e Kosovës ka nisur hetime të detajuara në koordinim me organet e drejtësisë. Njësitet kompetente janë angazhuar për të identifikuar autorët dhe për të ndaluar praktikën e keqpërdorimit të identitetit institucional.
Policia u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të jenë të kujdesshëm ndaj çdo komunikimi të dyshimtë që pretendohet të jetë zyrtar. Çdo e-mail i tillë i dyshuar duhet të përcillet për verifikim në adresën zyrtare: info@kosovopolice.com.