Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po hetohet nga Prokuroria Themelore e Pejës nën dyshimin për veprën penale të kanosjes, e cila dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor në qytetin e Pejës.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, konfirmoi për Reporteri.net se rasti është iniciuar me urdhër të prokurorit kujdestar.
“Me urdhër të prokurorit është hapur rast për veprën penale të kanosjes. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës”, tha Nikçi.
Sipas të dhënave të para, incidenti dyshohet se ka ndodhur në një rrugë të Pejës, në momentin kur trafik ishte i bllokuar. Palët e përfshira në rast kanë deklaruar se ministri ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur, ndërsa, sipas tyre, ai “ka vendosur dorën në armë” gjatë incidentit.
Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera për ngjarjen.