Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar sot 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e cilësuar 28 Nëntorin si një ditë të shenjtë dhe të pandashme nga rrugëtimi historik i kombit shqiptar. Në mesazhin e tij, ai theksoi se kjo datë mbetet boshti që ka lidhur shekujt e përpjekjeve për liri dhe identitet.
Kurti u shpreh se rrallë gjen një komb tjetër në botë që e ka fatin kaq të ndërthurur me një datë të vetme, sikurse shqiptarët me 28 Nëntorin. Ai rikujtoi ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 1443, të cilën e cilësoi si një ngjarje që fillimisht u duk si “aksident historik”, por që u shndërrua në simbol të përjetshëm të kalendarit kombëtar.
Duke vazhduar me ngjarjet kyçe të historisë, Kurti theksoi 28 nëntorin 1912, ditën kur flamuri u ngrit sërish në Vlorë dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë moderne. Ai përmendi edhe vizionin e Sami Frashërit për një Shqipëri të bashkuar dhe fjalët e Luigj Gurakuqit, i cili e përshkruante vitin 1912 si një periudhë plot “mjerime e pësime”, por që solli “lirinë, bashkimin dhe pavarësinë e Atdheut”.
Në urimin e tij, Kurti ndaloi edhe te data të tjera të rëndësishme të 28 Nëntorit: viti 1955 – dita e lindjes së Adem Jasharit; dhe viti 1997 – dalja e parë publike e UÇK-së. Këto ngjarje, tha ai, dëshmojnë vazhdimësinë e flijimit dhe përpjekjeve shekullore të shqiptarëve, që sot janë kurorëzuar me dy shtete shqiptare të pavarura.
Kryeministri foli po ashtu për konceptin e “Nëntorit të Tretë”, të cilin e përshkroi si një projekt simbolik që lidhet me të ardhmen dhe përmbushjen e aspiratave kombëtare drejt integrimit evropian.
“Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk bie në këtë ditë, apo edhe nëse nuk është në këtë muaj, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet”, tha ai, duke uruar që ajo ditë të vijë sa më shpejt.
Në fund, Kurti u dërgoi një mesazh të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen:
“Vëllezër e motra shqiptare, kudo që jeni, në mesin e familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë feste: Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”