15.01.2026
2 mins read

Si u licencua kompania serbe “EFT”, e lidhur me Vuk Hamoviq, gjatë qeverisjes Kurti

Berat Lahu më parë ushtronte detyrën e drejtorit në KEK, e më pas të njëjtën detyrë në KEDS. Më vonë, Lahu synonte të bëhej kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Në vitin 2021, ai mori pjesë në intervistën për të fituar postin e kryetarit të Bordit të ZRRE-së. Sipas vlerësimeve, Berat Lahu kryesonte me 71 pikë, ndërsa Ymer Fejzullahu kishte 61.6 pikë. Megjithatë, postin e fitoi Ymer Fejzullahu me 61.6 pikë. Edhe pse Lahu ishte i kualifikuar për postin, emri i tij nuk u dërgua në Kuvend nga Qeveria dhe, rrjedhimisht, nuk iu mundësua ta ushtronte detyrën.

Ymer Fejzullahu është Kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të Republikës së Kosovës, i emëruar në gusht të vitit 2021, një detyrë që e ushtron edhe aktualisht. Ymer Fejzullahu nga viti 2013 deri në vitin 2021 shërbeu si Drejtor i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRRE, përpara se të emërohej në krye të Bordit të ZRRE-së.

Tarifat prej 136.4 euro për megavat për “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja”, kompani të Blerim Devollit, u dhanë me vendim të ZRRE-së më 19 maj 2016. Në atë kohë (2013–2021), Ymer Fejzullahu ishte Drejtor i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRRE. Sipas këtij pretendimi, Fejzullahu kuptohet të ketë qenë ndër vendimmarrësit kryesorë lidhur me këtë çështje.

Berat Lahu, në një intervistë në “Debat Plus”, tregon se “në vitin 2021, para se të përzgjidhej drejtori/kryetari i Bordit të ZRRE-së, ishte ftuar nga Nagip Krasniqi në zyrën e tij dhe ishte pyetur se çfarë dinte për Ymer Fejzullahun”. Po ashtu, sipas Lahut, Nagip Krasniqi kishte thënë se interesimi për Fejzullahun ishte nga Albin Kurti.

Gjithashtu, Lahu thotë se “pasi kishte përfunduar intervista e konkursit për pozitën e drejtorit/kryetarit të Bordit në ZRRE, u takua me Liburn Aliun, me të cilin ka raport familjar. Lahut iu tha se duhet të tërhiqej nga konkursi me urdhër të Dejona Mihalit dhe Artane Rizvanollit”.

Në një telefonatë me Albin Kurtin, Lahu thotë se Kurti i kërkoi të tërhiqej nga gara për kryetar të Bordit të ZRRE-së, por Lahu e refuzoi kërkesën. Po ashtu, sipas Lahut, Kurti i kishte thënë se “ku do të shkoje në ZRRE pa lejen e kryeministrit”, ndonëse Lahu shton se kjo ishte thënë në formë shakaje, për shkak të afërsisë dhe njohjes që kishin.

Lahu nuk u tërhoq nga gara dhe emri i tij u dërgua në Qeveri, por më pas nuk u dërgua nga Qeveria në Kuvend për votim.

ZRRE DHE LICENSIMI I EFT-së

Albin Kurti, në një intervistë, thotë se EFT-ja duhet të marrë fund dhe të largohet nga tregu energjetik në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë. Ai shton se nuk mund ta quajmë veten shqiptar, lider shqiptar apo përfaqësues shqiptar, nëse vazhdojmë të dominohemi nga EFT-ja.

Shumë raportime dhe profile hetimore e lidhin EFT-në me biznesmenin serb Vuk Hamović.

Ndërkohë, pikërisht nën qeverisjen e Vetëvendosjes me kryeministër Albin Kurtin, më 2 shtator 2021, EFT është licencuar nga ZRRE.

ZRRE në atë kohë drejtohej nga Ymer Fejzullahu.

Në listën zyrtare të vendimeve të ZRRE për vitin 2021 figuron “issuance of Electricity Wholesale Supply (Trade) License” për “Energy Financing Team” (EFT), me periudhë 5-vjeçare nga 2 shtator 2021 deri më 1 shtator 2026.

/Guxo.info/.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Shtëpia e Bardhë e vendos Greenlandën “në mes dy zjarreve”

Next Story

Specialja publikon orarin e deklaratave përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Latest from Blog

Go toTop