Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka shprehur keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos e certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në një reagim të publikuar në Facebook, BE theksoi se politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe subjektet e tjera politike dëmton procesin zgjedhor dhe cenon standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve.
Sipas Zyrës së BE-së, një proces zgjedhor gjithëpërfshirës është thelbësor për demokracinë dhe për zbatimin e rekomandimeve të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Vendime të tilla, sipas tyre, krijojnë shqetësime serioze për pavarësinë institucionale të KQZ-së.
Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe reagoi ndaj situatës. Ambasadori Jonathan Hargreaves u shpreh se është i shqetësuar për përpjekjet politike që synojnë të pengojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Ai paralajmëroi se veprimet e tilla mund të dëmtojnë reputacionin e Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Vendimi i KQZ-së erdhi pas mbledhjes së së martës, ku rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe mori vetëm dy vota për, ndërsa dy anëtarë votuan kundër dhe shtatë të tjerë abstenuan. Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi, tani ka të drejtën të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër certifikimit.
Ky zhvillim ka shtuar tensionet politike dhe ka hapur debat të gjerë mbi pavarësinë e institucioneve zgjedhore dhe garantimin e një procesi demokratik gjithëpërfshirës në vend.