Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Skenderaj nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, pasi në lokalin e tij dyshohet se po organizoheshin lojëra fati të kundërligjshme.
Sipas njoftimit policor, rreth orës 01:00 njësitë policore kanë pranuar informacion për një lokal ku dyshohej se po zhvillohej veprimtari e jashtëligjshme e lojërave të fatit. Pas reagimit në vendin e ngjarjes dhe kontrollit në lokal, policia ka hasur 14 persona që dyshohet se po merrnin pjesë në lojëra fati.
Gjatë ndërhyrjes janë gjetur dhe sekuestruar një tavolinë pokeri, çipa dhe letra të pokerit, si dhe mjete të tjera që shërbejnë për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Si rezultat i veprimeve hetimore, pronari i lokalit është arrestuar, ndërsa personat e tjerë janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje.
Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e të arrestuarit, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë. /Guxo.info/