05.01.2026
1 min read

Hashim Thaçi i drejtohet Kushtetueses: Pretendon shkelje të rënda të të drejtave të njeriut

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraqitur një ankesë në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës Speciale në Hagë, duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore të njeriut në një nga procedurat penale ndaj tij.

Sipas parashtresës së dorëzuar nga ekipi mbrojtës, Thaçi pretendohet se është dëmtuar rëndë në rastin që lidhet me akuzat për pengim të drejtësisë, ku theksohet se disa vendime kyçe janë marrë nga gjyqtarë të cilët, sipas mbrojtjes, nuk janë caktuar në përputhje me ligjin përkatës.

Në këtë kontekst, bëhet e ditur se kryetarja e Gjykatës Speciale ka vendosur formimin e një paneli të gjyqtarëve të Kushtetueses, të cilët do të shqyrtojnë këtë ankesë.

Mbrojtja argumenton se gjatë procedurave janë autorizuar masa që kanë cenuar privatësinë e Thaçit, përfshirë regjistrimin e fshehtë të vizitave dhe bisedave telefonike të tij në qendrën e paraburgimit, si dhe sekuestrimin dhe kontrollin e pajisjeve personale, përfshirë kompjuterin dhe materialet private.

Avokatët e tij theksojnë se këto veprime përbëjnë shkelje serioze të standardeve kushtetuese dhe ligjore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rregullsinë e gjithë procesit penal. Sipas tyre, këto parregullsi nuk mund të korrigjohen në faza të mëvonshme të procedurës, pasi aktakuza është ndërtuar mbi prova që, sipas pretendimeve, janë siguruar në mënyrë të paligjshme.

Në ankesë kërkohet që Gjykata Kushtetuese të konstatojë shkeljen e të drejtave të njeriut, të vlerësojë cenimin e privatësisë përmes incizimeve të fshehta dhe sekuestrimeve, si dhe të konstatojë se aktakuza është e dëmtuar nga këto shkelje procedurale./Guxo.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Punëtorët shëndetësorë të punësuar gjatë fushatës zgjedhore në komunen e Ferizajt mbesin pa paga për më shumë se pesë muaj

Next Story

SHBA dhe nafta e Venezuelës

Latest from Blog

Go toTop