December 4, 2025
1 min read

Putin: Rusia do të marrë Donbasin me forcë nëse Ukraina nuk tërhiqet

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Moska është e gatshme të marrë nën kontroll të plotë rajonin e Donbasit me forcë, nëse Kievi nuk tërheq trupat nga territori. Qëndrimi i tij u bë publik të enjten në një intervistë për India Today, e transmetuar nga mediat shtetërore ruse. Ukraina ndërkohë ka refuzuar kategorikisht çdo tërheqje, duke theksuar se nuk do të dorëzojë territoret e saj.

Putin kujtoi se Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt 2022, pas tetë viteve konflikt në Donbas midis separatistëve të mbështetur nga Moska dhe forcave ukrainase. Donbasi përfshin rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, të cilat Kremlini ka shpallur si synim strategjik.

“Ose do t’i çlirojmë këto territore me forcën e armëve, ose trupat ukrainase do të largohen prej tyre”, tha Putin në intervistë, pak para vizitës në Nju Delhi.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur se Rusia nuk duhet të shpërblehet për agresionin e saj, duke theksuar se Ukraina nuk do të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit të vet.

Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 19.2% të territorit ukrainas, përfshirë Krimenë e aneksuar në vitin 2014, të gjithë Luhanskun, më shumë se 80% të Donetskut, si dhe pjesë të Khersonit, Zaporizhzhies, Kharkivit, Sumit, Mykolaivit dhe Dnipropetrovskit.

Në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje të mundshme paqeje, Moska ka kërkuar njohjen e kontrollit të saj mbi të gjithë Donbasin. Në vitin 2022, Rusia shpalli se Luhansku, Donetsku, Khersoni dhe Zaporizhzhia i ishin bashkuar Federatës Ruse pas një referendumi të kontestuar, i cilësuar si i paligjshëm nga Perëndimi dhe Ukraina.

Putin priti dy ditë më parë në Kremlin të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke vlerësuar takimin si “shumë të dobishëm”. Ai tha se disa propozime të SHBA-së për çështjen e Ukrainës janë pranuar dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

Burimi: Euronews Albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Tragjedi në Lushnjë: Babë e bir ndërruan jetë brenda pak orësh

Next Story

Rrustem Mustafa kritikon qeverinë: “Transparenca mungon, institucionet po përdoren si lojë politike”

Latest from Blog

Liria dhe fuqia e medias

Duke u nisur nga liria e të shprehurit – pra liria e fjalës – dhe më pas përpunimi i kësaj lirie në informacion, narrativa, analiza, opinione e të tjera, ky proces i
Go toTop