Gjykata Supreme e Spanjës ka urdhëruar paraburgimin e ish-ministrit të Transportit, José Luis Ábalos, i cili ndodhet në qendër të një prej skandaleve më të mëdha të korrupsionit që ka goditur qeverinë e majtë të kryeministrit Pedro Sánchez.
Sipas vendimit të raportuar nga Reuters, gjykata vlerëson se Ábalos duhet të mbahet në paraburgim për shkak të rrezikut të mundshëm të arratisjes. Javën e kaluar, prokuroria antikorrupsion kërkoi një dënim prej 24 vjetësh burg për të.
Ábalos akuzohet se, së bashku me ish-ndihmësin e tij Koldo García dhe një biznesmen, kanë manipuluar kontrata publike për furnizime mjekësore gjatë pandemisë COVID-19, duke përfshirë pajisje mbrojtëse si maskat. Në atë periudhë, Ábalos ishte pjesë e kabinetit qeveritar. Si ai, ashtu edhe García, kanë mohuar akuzat.
Skandali u bë publik në shkurt të vitit 2024, pas arrestimit të Garcías, dhe zbuloi një skemë përmes së cilës një kompani e vogël arriti të siguronte kontrata shtetërore me vlerë rreth 53 milionë euro për furnizime me maska për institucione të ndryshme publike gjatë pandemisë.
Ky zhvillim ka shkaktuar tronditje politike në Spanjë dhe ka vënë në pikëpyetje proceset e prokurimit gjatë periudhës së emergjencës shëndetësore.