Numri i ankesave të paraqitura nga zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) po konsiderohet alarmues dhe ngre pikëpyetje për mënyrën e menaxhimit të kësaj ministrie.
Periskopi ka kërkuar qasje në të dhëna nga KPMSHCK lidhur me ankesat që kanë ardhur nga MBPZHR-ja, institucion që në periudha të mëparshme është udhëhequr nga Faton Peci, ndërsa në krye të administratës si sekretare e përgjithshme është përmendur Venera Çerkini, e afërme familjare e Presidentes Vjosa Osmani.
Sipas të dhënave zyrtare për periudhën shtator 2023 – janar 2026, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 15 ankesa nga zyrtarë të MBPZHR-së, ndërsa në vitin 2025 janë evidentuar 14 ankesa. Për krahasim, në vitin 2023 (nga shtatori e tutje, sipas periudhës së përfshirë në raportim) janë regjistruar 6 ankesa.
Trendin në rritje e bën edhe më domethënës struktura e vendimeve të KPMSHCK-së. Në vitin 2024, nga 15 ankesa, 12 janë aprovuar dhe 1 është aprovuar pjesërisht, që nënkupton se në 13 raste është konstatuar bazueshmëri e pretendimeve të ankuesve. Edhe në vitin 2025, nga 14 ankesa, 11 janë aprovuar dhe 1 pjesërisht e aprovuar, duke e çuar sërish shumicën e rasteve në favor të zyrtarëve ankues.
Këto shifra sugjerojnë se, në pjesën më të madhe të rasteve, vendimet ose veprimet administrative të ministrisë janë vlerësuar si të padrejta ose të papërputhshme me kornizën ligjore dhe procedurale.

Sipas burimeve të Periskopit, pretendimet për shkelje në procedura dhe vendimmarrje brenda MBPZHR-së mund të jenë edhe më të shumta, por jo të gjithë zyrtarët kanë zgjedhur t’i drejtohen KPMSHCK-së me ankesa formale.
Në këtë kontekst, Periskopi thekson se, bazuar në statistikat e publikuara, brenda dy viteve përmenden 23 raste të ankesave të aprovuara ose pjesërisht të aprovuara, të cilat interpretohen si shkelje procedurale të konstatuara nga KPMSHCK.