Policia e Kosovës ka arrestuar sot konspiracionistin Arianit Sllamnikun, nën dyshimet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe për eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barnave.
Pas raportimit te mediave se Sllamniku disa personave u ka shitur ilaçe për kafshë, me pretendimin se me to fëmijët do të shërohen nga autizmi.
Arianit Sllamniku është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.
Ndërkohë, Policia e Kosovës në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë marrë shërbime shëndetësore ose konsultime nga Arianit Sllamniku, e që mendojnë se mund të jenë dëmtuar, qoftë materialisht apo shëndetësisht, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve.
“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagimin e MSH-së.