Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të lehtësojnë përkohësisht sanksionet për vendet e tjera që blejnë naftë dhe produkte të naftës ruse të ngarkuara në anije në det, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve në tregjet globale të energjisë. Masa vjen në një moment kur çmimi i naftës ka kaluar sërish pragun e 100 dollarëve për fuçi, mes tensioneve të forta në Gjirin Persik.
Ndërkohë, situata e sigurisë në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar më tej. Shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin iranian, Teheran, ndërsa Izraeli ka deklaruar se ka nisur një tjetër valë të gjerë sulmesh. Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka bërë të ditur edhe lëshime të reja raketash nga Irani.
Në të njëjtën kohë, ushtria amerikane ka konfirmuar se katër anëtarë të ekuipazhit kanë humbur jetën pasi një aeroplan furnizues me karburant u rrëzua mbi Irak. Komanda Qendrore e SHBA-së ka sqaruar se humbja e avionit nuk ka ardhur si pasojë e zjarrit armik apo zjarrit miqësor, ndërsa rrethanat e incidentit mbeten nën hetim.
Zhvillimet janë shtrirë edhe përtej zonës së konfliktit. Dronë që hynë në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite janë shkatërruar, ndërsa autoritetet në Dubai kanë bërë të ditur se mbetje nga një predhë e interceptuar kanë goditur një ndërtesë në qendër të qytetit.
Në mesin e kësaj klime të tensionuar, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, duke deklaruar se SHBA-ja po “shkatërron totalisht” regjimin iranian dhe duke paralajmëruar publikun që të “shohë se çfarë do të ndodhë” të premten.