Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, është përfshirë hapur në fushatë zgjedhore, duke e përkrahur publikisht kandidatin për deputet nga PDK-ja, Ilir Murtezaj. Ky veprim përbën shkelje të parimit të paanshmërisë dhe neutralitetit politik, të garantuar me Ligjin për Arsimin e Lartë, i cili ndalon përfshirjen partiake të drejtuesve të institucioneve publike të arsimit.
Sipas ligjit dhe rregulloreve universitare, funksionarët udhëheqës janë të obliguar të ruajnë autonominë akademike dhe ta mbajnë institucionin jashtë ndikimit politik. Megjithatë, përfshirja e rektorit në aktivitete partiake tregon se ai nuk ka frikë dhe nuk heziton ta shkelë rregulloren, duke e politizuar hapur institucionin që drejton.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur reagim zyrtar nga universiteti apo nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Inovacionit dhe Teknologjisë.
