Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), e përfaqësuar nga prokurori Matt Halling, ka deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi i ka “maskuar” ndërkombëtarëve atë që, sipas Prokurorisë, po ndodhte realisht në terren gjatë luftës, duke ndikuar në mënyrën se si ata e kuptuan funksionimin e UÇK-së.
Në ditën e dytë të fjalës përfundimtare, Halling përmendi ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandantin suprem të NATO-s, Wesley Clark, të cilët kanë dëshmuar për mbrojtjen në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Sipas tij, Thaçi kishte aftësi të “maskonte realitetin”, çka – siç pretendon Prokuroria – ndikoi në perceptimin e ndërkombëtarëve për strukturën dhe mënyrën e funksionimit të UÇK-së.
Prokurori shtoi gjithashtu se Rubin dhe Clark, sipas vlerësimit të Prokurorisë, “nuk kishin interes” të kuptonin plotësisht se çfarë po ndodhte në realitet, pasi besonin se angazhimi i tyre ishte “në anën e duhur të historisë” dhe nuk u përballën me atë që, siç tha ai, po dëgjon tani trupi gjykues në këtë proces.
Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar që Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.