11.02.2026
1 min read

Profesori e sulmon nxënësin në Ferizaj, nxënësi tenton ta sulmojë profesorin me thikë

Një incident i rëndë dyshohet të ketë ndodhur më 17 dhjetor 2025 në shkollën e mesme “Shaban Hashani” në Ferizaj, ku një nxënës 15-vjeçar raportohet se është përfshirë në një përleshje fizike me profesorin e Edukatës Fizike, çka ka çuar deri në ndërhyrjen e Policisë së Kosovës.

Sipas disa nxënësve, konflikti ka nisur gjatë orës mësimore në oborrin e shkollës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me uniformën, dhe më pas situata ka eskaluar në dhunë. Ata pretendojnë se nxënësi ka përdorur mjete të forta, ndërsa Policia konfirmon se te 15-vjeçari është gjetur edhe një thikë. Megjithatë, nuk raportohet për persona të lënduar nga arma e ftohtë.

Policia ka bërë të ditur se rasti është iniciuar si “lëndim i lehtë trupor” dhe është proceduar me kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Sipas burimeve, kallëzim penal është ngritur ndaj të dy palëve të përfshira në incident.

Profesori i Edukatës Fizike ka deklaruar se nxënësi po e pengonte zhvillimin e mësimit dhe se kishte shfaqur sjellje provokuese në mënyrë të vazhdueshme. Ai ka pohuar se është sulmuar fillimisht me gurë dhe se më pas ka pasur tentativë sulmi edhe me thikë. Sipas tij, reagimi ka ardhur si pasojë e frikës dhe vetëmbrojtjes, duke mohuar se kishte qëllim ushtrimin e dhunës.

Nga ana tjetër, nëna e 15-vjeçarit pranon se djali i saj ka gabuar, por thekson se përdorimi i dhunës ndaj një fëmije nuk mund të justifikohet. Ajo deklaron se djali është hiperaktiv dhe ka nevojë për trajtim pedagogjik e mbështetje profesionale, jo ndëshkim fizik. Sipas saj, ai është ndjerë i poshtëruar para bashkëmoshatarëve dhe reagimi i tij ka qenë i pamenduar.

Aktualisht, nxënësi nuk po vijon mësimin, ndërsa Drejtoria Komunale e Arsimit ka bërë të ditur se do të ndërmerren masa për të siguruar që ai të mos mbetet jashtë sistemit arsimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Në Hagë, mbrojtja e Thaçit deklaron pafajësinë e tij

Next Story

Propozohet kabineti qeverisës

Latest from Blog

Go toTop