Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar më 30 nëntor se rafineria e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) në Pançevë do të ndërpresë punën nga e marta, pasi SHBA-ja nuk pritet t’i zgjasë licencën e operimit, raporton agjencia Beta.ë
Vuçiq u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë të qetë, duke theksuar se shteti ka “mjaft zgjidhje dhe mjete financiare” për ta menaxhuar situatën. Ai paralajmëroi se gjatë ditës do të tentojë zhvillimin e bisedimeve shtesë me përfaqësues amerikanë, megjithëse nuk beson se vendimi do të ndryshohet.
Sipas tij, rafineria duhet të mbyllet të martën, ndërsa nesër pritet një takim i rëndësishëm ku do të diskutohen hapat e mëtejshëm. Presidenti foli për “një betejë të vështirë” që e pret Serbinë në menaxhimin e krizës energjetike.
Vuçiq tha për TV Informer se “nuk e kupton logjikën dhe taktikën e SHBA-së” lidhur me moszgjatjen e licencës për NIS-in, ndonëse Serbia ka garantuar se deri në afatin e vendosur do të ndryshojë strukturën pronësore të kompanisë, e cila ndodhet nën sanksionet amerikane për shkak të pronësisë ruse.
Qeveria serbe ka kërkuar nga SHBA-ja që të miratojë licencën e re të punës për NIS-in, teksa negociatat për ndryshimin e pronësisë vazhdojnë. Presidenti paralajmëroi se vendi duhet të përgatitet për sfida të reja në sektorin energjetik.