Departamenti i Shtetit njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë revokuar vizat dhe kanë vendosur kufizime shtesë kundër individëve në Meksikë, të identifikuar si “lehtësues të qëllimshëm të imigracionit të paligjshëm në SHBA”.
Sipas deklaratës, sanksionet përfshijnë drejtues dhe zyrtarë të lartë të një kompanie transporti me seli në Meksikë, e cila dyshohet se ofroi me vetëdije shërbime udhëtimi për persona që synonin të hynin ilegalisht në territorin amerikan.
Hetimet zbuluan se individët kishin organizuar aranzhime udhëtimi për migrantë, përfshirë edhe fëmijë, nga vendet e Karaibeve dhe rajone të tjera, duke i dërguar në pikëkalimet e Amerikës Qendrore, prej ku më pas shumë prej tyre u kapën duke tentuar të kalonin kufirin ilegalisht.
Departamenti i Shtetit bëri të ditur se anulimi i vizave dhe kufizimet e reja synojnë të pengojnë hyrjen e tyre në SHBA, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë përpjekjet për të minuar sigurinë kombëtare dhe ligjet e imigracionit.”
Sipas komunikatës, SHBA do të godasë rrjetet e kontrabandës dhe do të ndërmarrë veprime ndaj atyre që përfitojnë nga imigracioni i paligjshëm, në mënyrë që të forcojë kontrollin e kufijve.