Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dërguar një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar marrëdhëniet e qëndrueshme dhe bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë”, deklaroi Rubio në reagimin zyrtar.
Ai vuri në dukje se raportet mes SHBA-së dhe Shqipërisë janë të ndërtuara mbi angazhimin e përbashkët për siguri, paqe dhe zhvillim ekonomik. Rubio theksoi rolin e Shqipërisë si një aleate e besueshme brenda NATO-s, duke përmendur kontributet që vendi jep në mbrojtjen kolektive.
Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë është thelbësor edhe për përballimin e kërcënimeve globale, përfshirë aktivitetet e grupeve kriminale transnacionale dhe karteleve të trafikut të drogës. Po ashtu, Rubio vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në forcimin e sigurisë kibernetike, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave të përbashkëta.
Në përfundim të mesazhit, Sekretari amerikan i Shtetit shprehu besimin se partneriteti mes SHBA-së dhe Shqipërisë do të vazhdojë të rritet edhe më tej.
“Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë tonë të qëndrueshme,” u shpreh Rubio.