Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar rikthimin e shërbimit ushtarak, më shumë se 25 vjet pas heqjes së sistemit të rekrutimit. Vendimi vjen në një periudhë kur tensionet me Rusinë janë rritur ndjeshëm dhe shqetësimet për një konflikt të mundshëm në Evropë janë gjithnjë e më të pranishme.ë
Sipas planit të ri, të rinjtë francezë do të kenë mundësinë të angazhohen vullnetarisht në një program stërvitor ushtarak që do të zgjasë 10 muaj, për të cilin do të paguhen rreth 800 euro në muaj. Macron deklaroi se ky hap është i domosdoshëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Mënyra e vetme për t’iu shmangur rreziqeve është të përgatitemi për to. Duhet të mobilizohemi dhe të mobilizojmë kombin për të qenë në gjendje të mbrohemi dhe të respektohemi,” tha presidenti gjatë një adresimi në një bazë ushtarake në jug të Francës.
Programi i ri do të nisë gradualisht nga vera e vitit të ardhshëm dhe do të synojë kryesisht të rinjtë 18–19 vjeç. Fillimisht, numri i kadetëve do të jetë i kufizuar në rreth 3 mijë, ndërsa deri në vitin 2035 parashikohet të arrijë në 50 mijë vullnetarë.
Macron theksoi se forcat e armatosura franceze do të përfitojnë ndjeshëm nga energjia dhe motivimi i të rinjve, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tyre si një akt besimi ndaj gjeneratës së re.
Aktualisht, Franca ka 200 mijë trupa aktive dhe 47 mijë rezervistë. Me modelin e ri, struktura do të shtrihet në tre nivele: ushtarët profesionistë, rezervistët dhe vullnetarët.
Ky zhvillim e pozicionon Francën në një linjë me disa shtete të tjera evropiane që po rikthejnë ose po forcojnë format e shërbimit ushtarak, për shkak të rritjes së ndjeshme të kërcënimeve të sigurisë në kontinent.